Profil ALUMNI/ Historia e një prej ish-studentëve ekselentë të Universitetit Europian të Tiranës, e cila po korr suksese të njëpasnjëshme edhe në arenën ndërkombëtare.
“Në përfundim të gjimnazit, aplikova për degën Financë në Fakultetin e Ekonomisë dhe fitova të drejtën e studimit në Universitetin e Tiranës. Ishte fundi i gushtit dhe u vu re se një numër shumë i madh i studentëve i kishin të dhënat personale jo korrekte në sistem. Në pak ditë, u njoftuam nga Ministria e Arsimit, që studentët në fjalë kanë 2 ditë kohë të paraqiten në fakultetet përkatëse dhe të bëjnë korrigjimet ku theksohej se zyra të posaçme ishin ngritur në funksion të çështjes në fjalë si dhe të respektoheshin oraret e paracaktuara. Të nesërmen shkova në Fakultetin e Ekonomisë, ku zbulova faktin se zyrat e korrigjimeve jo vetëm nuk ishin krijuar sikundër thuhej në lajmërimin e ministres, por edhe se askush nuk kishte dijeni për asgjë, as zyra e informacionit. E lodhur dhe e zhgënjyer vendosa të shkoj për informacion të përgjithshëm në UET. Krahas përfaqësuesve të zyrës së informacionit, në holl ishin vetë lektorët të cilët më dhanë informacion edhe më të detajuar lidhur me kurset dhe fakultetet. Pas asaj vizite nuk kisha më asnjë dyshim se ku dhe çfarë dëshiroja të studioja”.
Kështu nisi rrugëtimi i Joana Metës, në Universitetin Europian të Tiranës. Një universitet i ri, ndryshe nga çfarë ajo kishte planifikuar fillimisht për të ardhmen e saj, por që rezultoi “një surprizë” e këndshme.
“Fillova një periudhë të re me UET-in. Gjimnazi është totalisht tjetër eksperiencë. Në UET unë mora për të parën herë statusin e studentes. Aty gjeta shumë aspekte pozitive, si: këmbëngulja, shembuj suksesi, ndërgjegjësim për përgjegjësitë etj., që më formëzuan dhe më përgatitën për të ardhmen. Familja e madhe UET është tashmë pjesë e të shkuarës time dhe natyrisht pjesë e asaj që unë jam e që kam arritur”.
Një studente këmbëngulëse dhe mjaft e përgatitur, Joana shkëlqeu përgjatë tri viteve të studimit në ciklin Bachelor, në degën Financë-Bankë. Pjesë e Rrjetit të Ekselencës, ajo u diplomua me rezultate shumë të larta. Krahas të qenit ekselent, Joana ka qenë gjithashtu mjaft aktive në jetën studentore të UET.
“Përgjithësisht, unë kam aftësinë të gjej gjithmonë diçka interesante në atë që bëj apo studioj dhe kjo më jep arsye të shkoj më thellë dhe të kuptoj më tepër. Gjatë studimeve në UET ndoqa të njëjtën strategji dhe kjo ishte vërtet e frytshme. UET ofron shumë mundësi, çdo facilitet apo shërbim që ofrohet nga universiteti, duhet shfrytëzuar me zgjuarsi”, shprehet ajo.
Sigurisht që arritjet akademike janë mjaft të rëndësishme, pasi shërbejnë si “një katapultë” për në tregun e punës, por Joana ka dëshmuar se është e aftë jo vetëm të jetë një studente ekselente, por edhe një person i aftë të ndërtojë rrugën drejt suksesit profesional.
“Pas përfundimit të mësimeve, hapi i parë ishin intervistat e punës. Përpos personalitetit dhe shprehive të tjera që lidhen me personin, një vend të rëndësishëm zënë pyetjet dhe testet që rezultojnë të suksesshme vetëm përmes njohurive të marra gjatë studimeve. Sot, unë përdor rreth 70% të njohurive teorike të fituara gjatë studimeve për të kuptuar nga ana fondamentale logjikën e punës dhe 100% të njohurive praktike për të përmbushur detyrat ditore si dhe për të lehtësuar e për të bërë më eficiente këto procese”.
Ende mjaft e re në moshë, ajo ka patur disa arritje në tregun e punës duke qenë pjesë e stafit të dy prej bankave të investimit më të mëdha në botë. Eksperienca këto të cilat çdo moshatar i saj do t’i vlerësonte si mundësi të arta, sepse konkurrenca për të qenë pjesë e tyre është mjaft e madhe. Ndonëse shumë individë aplikojnë për këto pozicione pune, pranimet janë të limituara si dhe kriteret e pranimit të shumta.
“Gjatë verës 2016 kreva praktikat e punës pranë Citibank dhe prej tre muajsh punoj me kohë të plotë si analiste e riskut të likuiditetit në Departamentin e Thesarit të Goldman Sachs. Pas tetë intervistave të suksesshme, eksperienca e punës filloi në zyrat qendrore të Goldman Sachs në NewYork dhe New Jersey për të vazhduar në zyra të tjera në Europë dhe më gjerë. Kam zgjedhur të sfidoj veten çdo ditë dhe të jem larg komfortit që një punë rutinë ofron. Çdo mëngjes zgjohem duke qenë e vetëdijshme se një ditë e gjatë po fillon, por kjo nuk e zbeh aspak dëshirën për të punuar. Kjo për vetë faktin se kam zgjedhur të bëj atë që më bën të ndihem mirë dhe të vetërealizuar edhe pse në kundërshtim me atë që të tjerët dëshironin që unë të bëhesha”, tregon Joana.
Pavarësisht vështirësive që paraqet tregu i punës, falë aftësive të saj, Joana ka ditur të bëhet pjesë e tij suksesshëm. Krahas këtyre “fitoreve”, vullneti dhe përgatitja e saj, e kanë shpërblyer me një bursë studimi në universitetin e Varshavës.
“Unë ndihem vërtet me fat dhe e konsideroj një gur themeli shumë të rëndësishëm bursën e akorduar nga Komisioni Europian dhe specializimin dyvjeçar në degën Quantitative Finance në Universitetin e Varshavës. Jetesa në një klasë tërësisht internacionale me pasuroi me shprehi dhe taktika veçanërisht të vlefshme për tregun e punës”.
Por cila është formula e saj e suksesit? Çfarë do t’u këshillonte Joana studentëve të tjerë të cilët ende nuk janë përballur me tregun e punës?
“Duke parë pas mund të them se nuk ka qenë e lehte aspak. Sfida, afate për t’u respektuar, konkurrencë, kanë qenë pjesë e përditshmërisë dhe vazhdojnë të jenë. M’u ofrua një kontratë pune në Goldman Sachs vetëm pas 3 aplikimesh të dështuara dhe 8 intervistave. Pas çdo refuzimi, më tepër se sa e dëshpëruar isha e etur të kuptoja se çfarë kishte shkuar keq. Çuditërisht me kalimin e kohës mësova të mos kem frikë nga dështimi dhe përpjekjet u fokusuan në mossukses që më bënë një person më të mirë. Dështo dhe ngrihu. E çfarë kuptimi ka suksesi pa përpjekje gjithsesi?
Të qenit pjesë e tregjeve financiare do të thotë që çdo ditë fillon me dinamizëm dhe mbyllet po ashtu, duke qenë se çdo ditë është një sfidë e mëvetësishme. Përballja me probleme të reja dhe zgjidhja në hark kohor tepër të shkurtër janë detyra të përditshme. Megjithatë, kjo më jep kënaqësi pasi në fund të fundit është ajo që kam zgjedhur të bëj.
Nëse vërtet dëshironi të spikateni mos u mjaftoni asnjëherë me aq sa ju ofrohet. Kërkoni gjithnjë më tepër. Në botën e sotme është shumë e thjeshtë; kurse online, forume, diskutime ndiqini dhe përpiquni të ecni me hapin e kohës. Është mjaft e thjeshtë të gjeni kontaktet e studentëve që tashmë janë pjesë e Alumni-t. Kontaktoni me ta, kërkoni informacion të freskët nga tregu i punës dhe përshtateni veten me kërkesat. Mos prisni që tregu të përshtatet me ju. Më e rëndësishmja, kërkoni ndihmë në gjetjen e burimeve. Besoj, askush nuk do t’ua mohonte këtë ndihmë. Personalisht, jam gjithmonë gati të ndaj eksperiencat e mia me të tjerët për të lehtësuar tranzicionin midis të qenit student dhe punësimit apo edhe zhvillimit dhe krijimit të ekspertizës në një pozicion të caktuar. Mos harroni, mos kini frikë të pyesni, por druhuni nga pyetjet pa përgjigje. Besoni në idetë tuaja, në aftësitë tuaja dhe zgjidhni atë që dini të bëni më mirë. Vetëm përmes kësaj strategjie do të gjeni rrugën tuaj. Nuk duhet të jeni të patrembur, por mos e lejoni frikën të mposhtë guximin. Shmangni momentin e parehatshëm që vjen shpejt ose vonë dhe urojmë që dikush të na e kishte thënë këtë në kohë. Mos harroni se e sotmja është e nesërmja që planifikuat dje…”.