Poeteja dhe skenaristja Natasha Lako dje në forumet e UET, ka folur mbi feminizmin dhe letërsinë, atleregoja e saj, si shkrimtare e angazhuar edhe pas ’90-ës; cilat janë femrat që kanë ndikuar në jetën e saj si shkrimtare dhe intelektuale
Poeteja dhe skenaristja Natasha Lako dje në forumet e UET, ka folur mbi feminizmin dhe letërsinë, atleregoja e saj, si shkrimtare e angazhuar edhe pas ’90-ës; cilat janë femrat që kanë ndikuar në jetën e saj si shkrimtare dhe intelektuale. Përballë pedagoges Belina Budini, Lako ka folur gjatë për procesin e formimit të saj, që edhe pse ka koeiciduar me vitet e diktaturës, ajo është shprehur se letërsia dhe liria e saj nuk ka qenë aspak e ndikuar nga dogma.
Lako ka treguar se ka nisur të shkruajë qysh në moshën 14 vjeçare, dhe asnjëherë nuk ka menduar se po shkruante si shqiptare apo komuniste, por si poete.
Pyetjes se si mundi t’ia dilte që të ishte një autore e konfirmuar, por edhe intelektuale e angazhuar, por sidomos nga burrat, në vitet e diktaturës Lako është përgjigjur: “Sot po shihja dhe njëherë librin “Politikat e Aristotelit” dhe nuk e kisha lexuar parathënien, nuk e di kush e kishte bërë, dhe më bëri përshtypje, ai që vlerësonte Aristotelin, thoshte për Aristotelin, “me logjikë mashkullore dhe me spekulacione të thella”.
Mendova se edhe ky që e ka bërë parathënien në vitin 2017 ka përdorur sigurisht “logjikën mashkullore”. Dhe për ta sjellë edhe sot, pikërisht për koincidencë, një miku im poet, i njohur që do ketë edhe një vëllim tani në këtë panair, në një parathënie tjetër për këngët popullore arbëreshe thoshte: në vazhdim të botës aristoteliane të logjikës masculine.
Sigurisht që burri është kultura dhe gruaja është natyra. Tani unë kam ardhur këtu të bëjmë disa spekulacione të tjera, spekulacionin e parë të them që nga vitet 1848 Sharlote Bronte, që është edhe Emili Bronte, zbulojnë njëra-tjetrën me emra mashkullorë, kur kanë botuar për herë të parë.
Pra nëse duhet të bëje spekulacione të thella, dhe të kishte logjikë, të vërtetë, duhet të kaloje nga ana e burrave. Unë e pranoj këtë sepse në fund të fundit mendoj që kur janë bërë këto përgjithësime, ashtu ishte realitetit. Gjithçka që është thënë në atë kohë është thënë në bazë të atij realiteti që ishte. Sot mund të flasim ndryshe. Dhe që të bëj spekulacionin e parë duhet të them që jam shumë e gëzuar që dje skuadra jonë e futbollit fitoi në Turqi për të treguar që bota femërore është e interesuar edhe për sportin. Kanë ndryshuar shumë gjëra. Bota ka lëvizur”.
Më tej Lako duke u përqëndruar në rolin e femrës në shoqëri, por dhe personalitetin e saj në letërsi, duke kujtuar emrat e disa nobelisteve, ajo ka thënë se “Fatmirësisht, sot, ndoshta për të treguar sa ka evoluar koha njëra pas tjetrës kanë fituar Nobelin disa shkrimtare gra. Pra është rritur shumë zëri femëror, dhe nga ana tjetër po ta vini re në Shqipëri, sidomos në poezi ka një dyndje të poeteve femra.
Por unë i kthehem prapë vitit 1848, jo sepse ka patur revolucione, por sepse kanë dalë këto gratë e para, jo sepse deri atëherë nuk kishin shkruar femrat, nëpër shekuj patjetër, mund të ketë me dhjetra që mund të kenë shkruar, në ditare sidomos, por deri në atë kohë ishtë krijuar klisheja e gruas që shkruan në mënyrë sentimentale, për problemet e mëmësië, për romantizma, brenda një kuadri aq të ngushtë, më të ngushtë se ç’ka qenë piktura e ikonave.
Dogma të kërkontë që t’i të pikturoje sipas disa ligjeve dhe kanuneve, por duhet të ishe piktor shumë i madh, si Da Vinci apo Rafaelo që t’i thyenin këto dogma. Dhe këto dogma thyeshin duke hapur botën dhe duke bërë të gjithë botën dhe qëniet njerëzore, dhe fenomenet e përbashkëta, si të burrave dhe grave.
Sharlotë Bronte ka shkruar një ndër librat e parë, nën emër burri, me probleme skandaloze, domethenë me problem të cilat i kemi dhe ne më vonë në këngët popullore shqiptare të marrëdhënieve, kur se njeh mirë vëllanë dhe bie në dashuri. Por në atë kohë ta thoje këtë ishte një gjë shumë e rrezikshme, ta thoshte një grua”.
Ndërsa çfarë ka ndikuar në jetën e saj si shkrimtare por edhe intelektuale, Lako është përgjigjur se modelet e saj janë jashtë Shqipërisë, duke iu referuar kujtesës së parë kur ka lexuar ditarin e Ana Frankut.
Ndërsa për gratë brenda Shqipërisë, ajo është shprehur për Elena Kadarenë se “Unë e kam thënë dhe një herë tjerër, që dhe Elena Kadare vetë, nuk e di për shembull se sa ka ndikuar edhe tek unë në fazën e parë në novelën e saj “Ditë vere” dhe gjendja shoqërore ishte e njëllojtë, ngjarjet ë përshkruan ajo në novelë ishte një vazjë që prindërit i thonin, mbylle dritën mjaft lexove.
Janë disa libra, sidomos i mbaje fshehur në atë kohë, disa libra dashurie që thoje që prit se mos më shikojnë, ajo ishte dhe një lloj leximi gjysëm në ilegalitet, në familje kur je i ri. Kështu që këto gjëra, Elena Kadare, i trajtonte në novelën e saj dhe unë i kisha provuar në veten time, në familjen time. Kështu që ndikoi shumë”./Mapo.al/