Departamenti i së Drejtës Private në Fakultetit Juridik në UET promovoi botimin e librit “Kontrata e sigurimit në të drejtën rumune dhe shqiptare” me autore Dr.Silvana Bello dhe parathënie nga Prof. univ. dr. Ion Dogaru
Silvana Bello i ka ndarë studimet e saj mes Shqipërisë dhe Rumanisë, ku jetoi për shumë vite krah bashkëshortit të saj, Marko Bello, në atë kohë i emëruar si ambasador në Bukuresht. Bello tashmë punon avokate në Tiranë, por punimi i saj shkencor i doktoraturës i mbrojtur në universitetin e Krajovës në Rumani i ka dhënë asaj një nënshtetësi shkencore të dyfishtë. Kjo lidhje është materializuar dhe me një libër, botim i UET-Press, i cili fokusohet tek studimi dhe krahasimi i kontratave të sigurimit në të drejtën rumune dhe atë shqiptare.
Autorja e gjeti veten natyrshëm në një promovim të organizuar nga Departamenti i së Drejtës Private në Fakultetit Juridik në UET, ku pedagogë dhe studentë të Juridikut mirëpritën këtë botim dhe ngritën një diskutim të hapur mbi librin e studiueses Silvana Bello.
Përgjegjësi i Departamentit,Prof. Asoc. Dr. Hemion Braho, vlerësoi librin si një kontribut në një sektor të së drejtës ku ka pak njohuri dhe theksoi se do t’ua rekomandonte studentëve për rastet e studimit të kontratave të sigurimeve.
Librin e vlerësuan dhe prof.dr. Hysen Çela, sipas të cilit, libri u vjen në ndihmë lexuesve me njohuri mbi kontratat e sigurimeve, rolet dhe përgjegjësitë respektive.
Profesor Bledar Ilia foli në emër të Universitetit të Krajovës, ku ky studim është kryer, duke vënë theksin tek rëndësia që ka studimi për ekspertëte fushës, studentët,etj.
Autorja, pas një karriere profesionale pranë sigurime, nga specialiste deri anëtare Bordi të Mbrikqyrjes së Sigurimeve dhe pas studimit të thelluar tha se Koci Civil shqiptar ka nevojë për amendime pasi ka mangësi në mbulimin e kontratave të sigurimeve, si dhe gjykatat marrin vendime pa pasur njohuri mbi fushën. “Shpesh kontratat nga Shoqëritë e sigurimeve bëhen të pabazuara në Kodin Civil, i cili është i pandryshuar që nga viti 1994”- tha ajo.
Binomi – jeta e njeriut, e drejta civile
Profesor Ion Dogaru, anëtar i Akademisë Rumune, e vlerëson studimin duke shkruar se “në qasjen e autores dhe zhvillimin e idesë së saj gjen konfirmim një pikëpamje e imja e kahershme, e cila lidhet me binomin – jeta e njeriut, nga njera anë dhe e drejta civile së bashku me një prej instituteve të saj juridike themelore, kontrata, nga ana tjetër”.
“Ndodh kështu që, ajo që unë vlerësoja 34 vite më parë, haset në qasjen e autores, në librin, të cilit po i shkruaj parathënien dhe që i dedikohet një kontrate të veçantë dhe shumë të rëndësishme, kontratës së sigurimit. Pas prezantimit të pjesës hyrëse, autorja vijon me historikun e veprimtarisë së sigurimeve, veprimtari me natyrë tregtare dhe arrin të zbërthejë nocionin e sigurimit së bashku me elementët e tij të veçantë. Në vazhdim, ajo trajton problematikën e kontratës së sigurimit, duke u ndalur gjërësisht mbi kategoritë e ndryshme të kësaj kontrate, në raport me veprimtarinë e sigurimit. Në fakt, ndodhemi përpara një përpjekjeje shkencore krahasuese në disa plane. Pikësëpari, si e drejta rumune edhe ajo shqiptare përmbajnë regullime të reja ligjore, përsa i përket kontratës së sigurimit, çka bën që autorja të analizojë në mënyrë krahasuese kuadrin ligjor para hyrjes në fuqi të Kodit Civil rumun, me rregullimet ligjore në Ligjin e ri Civil. Në të njëjtën mënyrë ajo vepron edhe në rastin e të drejtës shqiptare, teksa analizon dallimet midis Kodit Civil të mëparshëm dhe Kodit Civil aktual”- shkruan ndër të tjera profesori rumun.
Studimi është i strukturuar në katër kapituj që i mbivendosen idesë kryesore të studimit në këtë fushë, së cilës i shtohen parathënia respektive dhe seksioni përmbyllës i konkluzioneve. Kapitulli i parë, i titulluar “Historia e veprimtarisë së sigurimit” trajton fillimisht historinë e shfaqjes së aktivitetit të sigurimeve dhe rregullimin ligjor të mëvonshëm të tij. Kapitulli i dytë, i titulluar ’’Koncepti i sigurimeve dhe elementët specifikë të saj” kalon në revistë opinione doktrinare për konceptin e sigurimeve dhe elementët përbërës të tij. Në këtë rast janë përfshirë ngjashmëritë në lidhje me interpretimin e koncepteve specifike në të drejtën shqiptare. Kapitulli i tretë i punimit paraqet analizën efektive të kontratës së sigurimit, ashtu siç është e parashikuar në legjislacionin rumun, nëpërmjet krahasimit me atë shqiptar. Në këtë pjesë të studimit janë paraqitur si intepretimet e vetë legjislacionit kombëtar, duke u nisur nga legjislacioni i përgjithshëm i kompletuar me atë specifik, si dhe analiza jurisprudenciale mbi elementet e kontratës së sigurimit. Të drejtat dhe detyrimet e palëve kontraktuese dallohen në varësi të pozicionit të tyre si dhe nga rëndësia që u jep legjislacioni atyre. Kapitulli i katërt dhe më i zgjeruari i këtij studimi titullohet ’’Kategori të ndryshme të kontratave të sigurimit’’. Në këtë kapitull analizohen kontratat më të rëndësishme të sigurimit, ashtu sikurse rezulton nga përparësia e tyre në të dy sistemet e së drejtës: kontrata e sigurimit të pasurisë, kontrata e sigurimit të personit dhe kontrata e sigurimit të përgjegjësisë civile. Studimi mbyllet me një seksion të veçantë, në të cilën janë marrë ne shqyrtim elementët kryesorë të analizuar. Po ashtu, në këtë pjesë të studimit janë përsëritur në mënyrë të qartë propozimet de lege ferenda të autorit, si edhe konsiderata për zgjidhjet jurisprudenciale, të cilat mund të ndihmojnë në zhvillimin e kësaj fushe.