Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Vajza nga Puka që zgjodhi studimet kundër dëshirës së familjes

$
0
0

Valbona Hasani është studente e Psikologjisë në UET. Ajo ka ardhur në universitet kundër dëshirës së familjes së saj, e cila kërkonte që vajza e tyre të qëndronte pa shkollë dhe në fshat

Në shekullin e 21-të Shqipëria vijon të përballet me mentalitete që i shkojnë për shtat një kohe të shkuar, kur për vajzat nuk mendohej arsimimi, por një pajë dhe gjetja e një burri që kur ishin ende të mitura.

Për fat të keq në zonat rurale vijon të ketë raste të tilla, kur vajzat vuajnë mentalitetin maskilist të shoqërisë dhe u duhet të luftojnë një betejë të fortë për veten dhe të ardhmen e tyre.

Ky është edhe rasti i Valbona Hasanit, e cila me lot në sy, mori guximin të hipte në autobusin nga Puka në Tiranë për të kapur afatin e fundit të regjistrimeve në universitet. Negociatat gjatë gjithë verës me vëllezërit më të mëdhenj dhe mamanë kishin qenë të kota. Ata ia kishin thënë troç; nuk do të shkosh në shkollë! Kjo për të përkthehej; “nuk do të ndjekësh ëndrrën tënde më të madhe, arsimimin”. Vetëm babai ishte në anën e saj, por me sa duket zëri i tij ishte i heshtur para pjesës tjetër të familjes së madhe.

“Gjatë gjithë viteve të gjimnazit e vetmja frikë e imja ishte shkolla e lartë, a do të arrija të vija në Tiranë që të studioja. Vëllezërit ma kishin bërë të qartë se nuk do të shkosh në shkollë. Nëse shkon në Tiranë nuk do të kesh më punë me ne, më tha vëllai i madh që jeton në Francë”, thotë Valbona, e cila dhe pse është regjistruar dhe ka nisur mësimin akoma nuk e beson që gjendet në auditorin e një universiteti.

Ajo qan sepse beson se i ka lënduar vëllezërit e saj, të cilët vijojnë ta telefonojnë dhe t’i thonë se ka bërë gabim. Sipas tyre, një vajzë e re nuk mund të jetojë e studiojë vetëm në Tiranë. Ajo qan se ka frikë se nuk e di kur do të takojë babanë dhe nënën të cilët duket se kanë qenë të pafuqishëm ta mbrojnë dhe mbështesin vajzën e tyre për zgjedhjen e bërë. Duket pak paradoksale në një kohë kur gjithë prindërit sakrifikojnë për të paguar studimet e fëmijëve të tyre.

Por për fatin e Valbonës motra e saj më e madhe, Marjeta, e cila kishte përjetuar të njëjtën luftë disa vite më parë, i doli për zot duke dhënë guxim dhe mbështetje për studimet.

“Unë e kam jetuar vetë këtë stres para disa viteve. Edhe për mua nuk ishin dakord që të nisja shkollën, por ia dola me vështirësi, duke humbur atë lidhje të fortë që njeriu ka me familjen, por duke fituar një lidhje më të fortë, atë me vetveten. Sot kam mbaruar shkollën dhe punoj. Po ndihmoj dhe motrën që të studiojë. Shkollimi është e vetmja rrugë për një vajzë që të realizojë veten, të jetë e zonja e vetes”, thotë ajo.

Marjeta qesh, e sigurt që dhe motra e saj e vogël do të qeshë kur të kalojë pak kohë.

Valbona mund të besojë se kjo që po i ndodh është një situatë normale, por në fakt ajo është ndër ato rastet e rralla kur një studente vjen në shkollë pa dëshirën e prindërve dhe pa mbështetjen financiare të tyre. Shoqet e saj të klasës i kanë prindërit mbështetjen më të madhe në këtë rrugë, që është rruga që kërkon çdo i ri, në çdo cep të botës.

Për dr. Anisa Subashin, psikologe dhe Dekania e Studentëve në UET ky rast është pjesë e fenomenit negativ të shoqërisë shqiptare, që mbizotëron kryesisht në zonat rurale ku vajzat shihen vetëm si “kontingjent” për t’u martuar dhe jo për t’u shkolluar.

“Unë e përgëzoj fort Valbonën që ka zgjedhur arsimin si rrugën më të mirë për të ardhmen e saj dhe nuk i është nënshtruar mentalitetit shoqëror shqiptar. Arsimi është e vetmja rruga dhe rruga më e mirë për vajzat dhe djemtë që duan të kenë një të ardhme për veten. E kuptoj shumë mirë vështirësinë e Valbonës dhe konfliktin që ka me familjen, por besoj po ashtu se shumë shpejt familjarët e saj do ta kuptojnë se ky është vendimi më i mirë për Valbonën dhe do ta mbështesin atë që të jetë e zonja e vetvetes dhe të bëhet një psikologe e ardhshme”, thotë Subashi.

Ndonëse familja i mban mëri për zgjedhjen e bërë, Valbona ka treguar se është një vajzë e guximshme, duke dhënë një shembull për të gjitha vajzat shqiptare që mund të përballen me të njëjtën situatë. Arsimimi është një e drejtë që nuk i duhet mohuar askujt, pasi vetëm duke u shkolluar, duke marrë dije, mund të jemi jo vetëm të suksesshëm në karrierë, të jemi jo vetëm qytetarë më të mirë të këtij vendi, por të jemi një person më i mirë për veten, për prindërit, motrat, vëllezërit, miqtë dhe fëmijët tanë…


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180