Profil Alumni UET/ Nga ëndrra për të punuar si drejtues kompanish, në zbulimin e dëshirës për t’iu folur audiencave. Si u rikthye si pedagog në universitetin ku studioi pasi kishte provuar profesionin e juristit
Cilido që iu futet studimeve të ligjit e imagjinon veten në sallën e një gjykate në një nga rolet që imponojnë imazhet klasike të sallës së gjyqit, si gjyqtar, si prokuror apo avokat.
Të paktë janë ata që kur studiojnë për Juridik e mendojnë veten të qëndrojnë në auditorë duke ndërruar vendin e studentit me atë të pedagogut. Edhe për Ardvin Krajën, djalin nga Shkodra që vendosi të studionte ligj në UET në Bachelor e më pas në master, imazhi i parë për veten ishte ai i juristit në terren, jo në sallën e një universiteti. Por ndryshe nga imazhi klasik i sallës së gjyqit, ai dëshironte të ishte drejtues kompanie. Një punë të ngjashme, pra të punuarit në kompani të mëdha ai pati fatin ta bënte direkt pas shkollës, kur iu dha mundësia të ishte përfaqësues ligjor i dy kompanive me kapital të huaj në Shqipëri.
Por, shumë shpejt kuptoi se vokacioni i tij drejtohej diku tjetër, pikërisht atje ku nuk e kishte menduar veten kur kishte nisur studimet, në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.
Kështu u rikthye në UET për të nisur studimet e doktoraturës dhe njëkohësisht aplikoi për asistent pedagog dhe kërkues shkencor, ku punon aktualisht dhe pas marrjes së titullit Doktor Shkencash.
“Kur e nisa shkollën nuk kisha në mendje imazhin e juristit klasik që punon si avokat apo i futet karrierës së mëtejshme për gjykatës e prokuror. Në fakt doja të isha drejtues kompanie. Por i provova pak a shumë të dyja. Në vitin e dytë të masterit punova si asistent avokat dhe në vitin 2013 sapo mbarova masterin gjeta punë si përfaqësues ligjor i dy kompanive me kapital të huaj në Shqipëri, një në Vlorë e një në Shkodër. Ishte një eksperiencë shumë e mirë për mua”.
Por gjatë kësaj kohe Kraja punoi dhe në sektorin e trajnimeve në KQZ dhe aty kuptoi vokacionin e tij për të komunikuar me një audiencë të zgjedhur.
“Emocioni që të jep auditori i universitetit është në një nivel tjetër motivacioni për sa i përket rritjes profesionale por edhe kulturore, meqenëse intelektualiteti është pjesë e pandashme e jetës akademike”, shprehet ai.
Sot ai jep lëndët “Detyrimet dhe kontratat” dhe “Të drejtën tregtare” dhe duket se ka gjetur veten para auditorit me studentë të pasionuar pas ligjeve ashtu si vetë ai.
Ardvini iu përgjigj pyetësorit të karrierës që UET ka krijuar për studentët Alumni më të suksesshëm ndër vite.
Kur nisët studimet, si e morët vendimin të zgjidhnit një universitet privat dhe veçanërisht Universitetin Europian të Tiranës?
Në momentin e parë që vendosa për të filluar studimet universitare një shtysë e fortë ka qenë “serioziteti” që ofronte Universiteti Europian i Tiranës. Me seriozitet nënkuptoj stafin akademik, stafin administrativ si dhe ambientet që kishte universiteti në funksion të studentëve. Të gjitha këto duke i krahasuar me Universitetin e Tiranës ndikuan pozitivisht që pavarësisht se e fitova të drejtën e studimit në ciklin Bachelor/Juridik në UT, vendosa që studimet t’i filloja në UET.
Çfarë gjetët diçka- të keqe apo të mirë- që nuk e prisnit në UET?
Pavarësisht pritshmërive që kisha për sistemin e UET-së, një përshtypje interesante më ka lënë ndarja e notës në disa komponentë, të cilët ndikonin drejtpërdrejt në angazhimin e studentëve gjithë semestrin për të arritur rezultatet brenda pritshmërive.
Kur ndoqët programin mësimor të ciklit tuaj të studimeve, si ishte në raport me pritshmëritë tuaja në atë moment?
Pritshmëritë ishin të tilla asokohe se e mendoja më të lehtë arritjen e rezultateve maksimale, por gjatë vitit akademik u bë i dukshëm fakti se kishte cilësi më të lartë të studentëve dhe në vlerësimin e tyre, duke e bërë një institucion cilësor dhe të rëndësishëm, duke më dalë nga pritshmëritë për sa i përket vlerësimit dhe nivelit të studentëve.
Pasi kryet studimet dhe nisët tentativat e para në botën e punës, çfarë instrumentesh ju dhanë studimet për të avancuar më shpejt në raport me punësimin apo zhvillimin e karrierës?
Në fund të ciklit të studimeve ka një sërë faktorësh që ndikojnë për mirë apo për keq para ballafaqimit me tregun e punës, por UET-ja kishte në masë më të madhe anë pozitive, dhe këtu mund të theksoj metodologjinë e procesit të nxënies, metodat për kërkim shkencor, dhe një filtër për njohuritë bazë që fitohen gjatë ciklit të studimeve duke e vënë theksin tek informacioni i nevojshëm.
Çfarë do të donit sot të ndryshonit në raport me studimet që keni bërë në UET?
Faktikisht për sa iu përket studimeve vazhdoj të jem i kënaqur, por në qoftë se do të kishte elementë, këto do të ishin kryesisht në kuadër të kurrikulave, dhe përzgjedhjes së studentëve që kërkojnë të bëhen pjesë e universitetit.
Çfarë sugjerimi do i jepnit si Alumni që keni provuar edhe studimet edhe karrierën, një studenti të UET?
Të lexojë shumë, të punojë shumë, dhe të shfrytëzojë hapësirat që i ofron UET-ja për promovim.
Çfarë do t’i sugjeronit UET të përshtatë në lidhje me tregun e punës, diferenca mes programit që keni dashur të bënit, me atë që keni ndeshur?
Të shtojë më shumë praktikë, meqenëse teorinë e ka të përshtatur mjaftueshëm me atë çfarë kërkon tregu i punës sot.
Çfarë do t’i thoshit sot një maturanti apo dikujt që do të ndjekë studimet në UET?
Në qoftë se do t’i sugjeroja një maturanti sot UET-në, ka shumë arsye pse ta zgjedhë. UET-ja është një institucion të cilit i “peshon” diploma.
Po e nis nga fundi. Këtë më së miri e reflekton numri i studentëve të tij që kanë dalë në tregun e punës si profesionistë, duke pasur një ngritje të lartë në karrierë në tregun e punës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Me të vërtetë arritjet janë personale, por një ndihmesë “incognito” ka dhënë dhe UET me mekanizmat e posaçëm, si institucion lider në sistemin arsimor privat dhe më gjerë në Shqipëri. Jeta studentore të ofron jo rrallëherë atë që mund të ofrojnë universitetet më të mira europiane. Mundësitë që të ndjekësh programet e studimit “Erasmus” në universitetet europiane janë të shumta. Cilësia e mësimdhënies dhe kurrikulat janë më të përshtatshme me tregun e punës se universitetet e tjera që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Ekzistojnë edhe një sërë anësh pozitive të cilat janë evidente dhe nuk e gjykoj të arsyeshme të zgjatem më shumë, meqenëse është pyetësor karriere.
Mes tri alternativave të studimeve, studimeve në universitet shtetëror, privat apo jashtë vendit, cila është më e dëshirueshmja apo e mesmja e artë, cila është zgjidhja më e mirë në raport me karrierën tuaj?
Për sa kohë zgjedhja fillestare ka qenë ky Universitet dhe më ka rezultuar zgjedhja e duhur, si për jetën studentore, ashtu edhe për tregun e punës, jam plotësisht i mendimit që studimi në universitet privat është e mesmja e artë.
Cilën do të veçonit gjatë kësaj periudhe që nga diplomimi deri më sot, arritjen më të rëndësishme profesionale apo të karrierës?
Pavarësisht eksperiencave të shumta, këtë vit, pra në vitin 2017, mbylla ciklin e studimeve doktorale dhe po hyj në vitin e tretë të punës si Asistent Lektor në Fakultetin Juridik, në Departamentin e të Drejtës Private, pranë Universitetit Europian të Tiranës.