Nga Prof. dr. Aleksandër Dhima*
Hyrje
Socialdemokracia nuk e ka parë veten asnjëherë si lëvizje politike e përqendruar në Gjermani. Ndikimi i saj i ka kaluar me kohë kufijtë e shteteve evropiane dhe më gjerë. Së paku, partitë e këtij spektri politik, kudo ku veprojnë, kanë luajtur një rol të rëndësishëm politik dhe programor. Rrënjët e saj datojnë nga Revolucioni i viteve 1848-1849, por në shumicën e vendeve evropiane partitë socialdemokrate ose socialiste nuk e siguruan mbijetesën e tyre deri nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX.
Në këtë kontekst historik, Socialdemokracia gjermane mund të shërbejë si një model politik për formulimin e qartë të të drejtave themelore njerëzore: civile, ekonomike, sociale dhe kulturore të qytetërimit të sotëm. Natyrisht, kjo përparësi lidhet organikisht me përpunimin e principeve të qëndrueshme teorike dhe organizative, me suksesin në zgjedhjet parlamentare të legjislaturave të ndryshme, si dhe me rolin e saj lider në Internacionalen e Dytë Socialiste. E themeluar si parti në mbrojtje të punëtorëve të shtypur, SPD-ja ka mundur ta transformojë veten e saj përgjatë historisë si një Volkspartei (parti popullore) e krahut të majtë, duke pasur në qendër të programit, qysh prej themelimit në Eisenach nga August Bebel dhe Wilhelm Liebknecht (1869), “çlirimin ekonomik të klasës punëtore dhe pjesëmarrjen e saj në jetën politike të vendit”. Çështjet sociale u konceptuan gjithashtu të lidhura ngushtë me politikën shtetërore, çka do të mundësohej vetëm në kushtet e një shteti demokratik.
Bazat e Socialdemokracisë
Partitë e spektrit socialdemokrat iu kundërvunë totalisht, qysh në fillim, thirrjes së Leninit për “diktaturën e proletariatit”. Sepse ato nuk patën asnjë dyshim se rruga që ndoqi Rusia mbas Revolucionit të Tetorit nuk përputhej me principet e tyre, aq më pak në respekt të vendimmarrjeve të mëdha demokratike për shtetin e së Drejtës, lirinë e fjalës dhe të individit, të drejtave qytetare dhe të respektit ndaj dinjitetit njerëzor, të cilat janë parakushte për një rend të drejtë shoqëror. Për ta dalluar qartë këtë “rend të ri” nga komunizmi klasik, Socialdemokracia e vuri “pikën e rëndesës” te liria dhe demokracia, çka u vërtetua për më tepër nga përvoja e nazi-fashizmit dhe i terrorit Stalinist. Socialdemokracia dhe socializmi demokratik iu largua gjerësisht dhe përfundimisht atyre prirjeve ideologjike, që u vërtetuan në praktikë si çnjerëzore, si “burg” për të drejtat elementare të njeriut.
Në Programin e Gotesbergut (1959), me të cilin SPD-ja u prezantua në publik si parti popullore demokratike e së Majtës, rëndësi parësore iu kushtua principeve bazë të “lirisë, drejtësisë dhe solidaritetit”. Dhe me këtë platformë, nuk pretendohej për “të vërteta ultimative”, sepse ajo parti i kishte vënë vetes për detyrë t’i kushtohej dinamizmit social, luftës dhe aksionit të qëndrueshëm sipas parullës “Socializmi është një përpjekje e vazhdueshme për të realizuar dhe ruajtur lirinë dhe drejtësinë, si dhe për të promovuar secilin brenda tij”. Kjo frazë ishte themelore në Programin e Berlinit (1989).
Termat “socializëm” dhe “socialist” përdoren edhe sot nga socialdemokratët gjermanë. Por, “ligji autokratik” i udhëheqjes diktatoriale komuniste në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore u prezantua- për fat të keq- si “real-socializëm në kushtet e reja politike”, çka e diskreditoi, në një fare kuptimi, idenë e Socializmit, të projektuar qysh herët nga Socialdemokracia evropiane. Kjo e fundit nuk është prononcuar asnjëherë për tezën e “socializmit real”, ndërkohë që- sipas saj- “Socializmi do të sendërtohej vetëm në kushtet e lirisë së individit dhe të demokratizimit të shoqërisë”. Sidoqoftë, sot abuzohet gjerësisht me këta terma, për shkak të diskreditimit të pamerituar që u përhap në Evropën Lindore mbas rënies së Murit të Berlinit. Partitë socialdemokrate në mbarë Evropën prisnin që ta përdornin paradigmën e tyre për të reduktuar orvatjet për mohimin e konceptit të një “shoqërie më të drejtë” dhe të një “demokracie gjithëpërfshirëse” kundrejt një zhvlerësuesi të përbashkët. Sepse, sipas politologëve modernë, “vetëm Socializmi mund të sjellë diçka të re lidhur me demokracinë dhe, nga ana tjetër, demokracia mund të perfeksionohet nga Socializmi”.
Qysh në fillimet e Socialdemokracisë, bashkëlidhja e Socializmit me Demokracinë u bë temë qendrore për aktivitetet e lëvizjes punëtore. Në të kundërt, me analizën marksiste të “luftës së klasave”, “revolucionit proletar” dhe “dominimit politik të klasës punëtore”, socialdemokratët e rinj i vështruan këto koncepte në mospërputhje me synimet e tyre për një socializëm të lirë dhe demokratik. Në programin e Godesbergut, ku PSD gjermane e prezantoi veten si “parti popullore demokratike e së Majtës”, rëndësi përparësore iu dha principeve të “lirisë, drejtësisë dhe solidaritetit”.
Prej asaj kohe, historia e lëvizjes socialdemokrate në Gjermani lidhet me kundërshtimin, madje me konfrontimin ndaj zhvillimeve shtetërore politike, ekonomike dhe sociale. Mbas humbjes së pushtetit qendror (1982), SPD-ja u ndesh me një periudhë të vështirë dhe të rëndë në opozitë, kur u ndodh përballë grip-it të një ndryshimi politik të plotë. “Zgjimi” në drejtim të lirisë, vetëpërcaktimit politik, demokracisë dhe pluralizmit, si dhe orvatjet për prosperitetin individual solli një erë të re jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për mbarë Evropën, natyrisht edhe për Socialdemokracinë.
Demokracia, pjesëmarrja dhe transparenca
Qysh prej 50 vitesh, vendet e Evropës perëndimore jetojnë në një demokraci përfaqësuese, por mbeten ende një sërë institucionesh të ravijëzuara në formë autokratike. Kjo do të thotë se nuk ka ende hapësira të vërteta demokratike dhe njerëzve (në Evropën e Bashkuar) u është krijuar përshtypja se jetojnë në një pseudo-Demokraci, sepse thjesht nuk mund të përfitojnë nga ajo. Demokracia politike, e ngulitur prej kohësh si koncept nga politikanët në Gjermani, është praktikisht e kushtëzuar, përderisa luhet me “kartën” që “sovrani” ka të drejtë të votojë lirshëm çdo 4 vjet për përfaqësuesit e tij në Bundestag, pavarësisht se brenda partive përkatëse mund të zëvendësohen mandatet; aty (brenda partive politike) ka ndodhur rrallë që të votohet vërtet në mënyrë demokratike për ato mandate, përkundrazi, në shumicën e rasteve, është vepruar sipas principit të “politikës pas kuintave”. SPD-ja ka pasur rastin, gjatë historisë së saj politike, t’i kundërvihet këtij lloji të “politikës parlamentare”. Le të kujtojmë këtu debatet e zjarrta në Reichstag në kuadrin e zëvendësimit të Monarkisë kushtetuese nga Demokracia parlamentare gjatë kohës së Republikës së Vajmarit (1918-1933), pavarësisht presionit të forcave radikale të të dy spektrave politikë (majtas dhe djathtas). Friedrich Ebert, kreu i ri i shtetit i zgjedhur në mënyrë demokratike, kishte të drejtën kushtetuese- midis të tjerash- edhe për “shkrirjen” e parlamentit, nëse do të kërcënohej karakteri demokratik i legjislacionit të formuluar rishtas, në mënyrë të veçantë në lidhje me të drejtën e zgjedhjes (pasive dhe aktive) të grave dhe të uljes së moshës për të zgjedhur, nga 25 në 20 vjeç. Është e vërtetë që sistemi politik gjatë Republikës së Vajmarit tregoi- me gjithë disa prirje të reja- një vazhdimësi të dukshme nga koha e Perandorisë. Dhe të mos harrojmë që SPD-ja ishte gjatë viteve 1919-1932 forca politike më e fuqishme në vend. Megjithëse asaj i takon ndihmesa kryesore në zgjedhjen e Friedrich Ebert-it si president i Rajhut (1919-1925), ajo u gjend shpesh në opozitë.
Megjithatë, kohët kanë ndryshuar. Sistemi demokratik gjendet sot përballë sfidave të pushtetit në rritje të ndërmarrjeve multinacionale mbi “manovrat” politike në favor të tyre, çka pasqyrohet deri në qendrat e partive politike. Në jetën ekonomike ka shumë pak organizata, të cilat janë vërtet demokratike, d.m.th. që vendimmarrjet e tyre të jenë konsensuale, përkatësisht “sociokratike”. Rasti më tipik lidhet me Këshillat e Ndërmarrjeve (Betriebsräte), një vlerë kjo e padiskutueshme e imponimit të klasës punëtore, me shtytjen e strukturave udhëheqëse socialdemokrate. Edhe brenda tyre- me gjithë principet demokratike të sanksionuara në dokumente politike bazikë- s’ka qenë përgjithësisht e lehtë të rakordohen çështjet e punës me politikën “e madhe”, që ka imponuar shpesh konceptin “kundër, në vend të bashkëpunimit me njëri-tjetrin”, çka do të nënkuptonte një “politikë përfaqësuese” pa një demokraci të drejtpërdrejtë.
Natyrisht, s’mund të pretendohet në kohën e sotme për një “demokraci shtrënguese”, por për një mekanizëm, nëpërmjet të cilit të gjithë njerëzit të trajtohen njëlloj në shoqëri, të pranohen ata me individualitetin e tyre dhe të ndërmjetësohet pjesëmarrja e plotë e tyre si anëtarë me të drejta të plota në shoqëri. Prandaj, një detyrë e rëndësishme e Socialdemokracisë së sotme lidhet me përfshirjen e të gjithë njerëzve në progresin shoqëror. Të drejtat shoqërore dhe shteti i mirëqenies sociale nuk duhet të përjashtojnë “të dobëtit” nga jeta politike dhe shoqërore, sepse liria dhe barazia e çdo individi në shoqëri përbën një bazë të shëndoshë për zhvillimin e demokracisë.
Sipas principeve të Socialdemokracisë, “Në politikë dhe në diskursin politik, transparenca është një qasje, përkatësisht një qëndrim, ndaj informacioneve të lira”, çka në politikë dhe në diskursin politik përbën një qëndrim të justifikuar mbi përmbajtjen, përkatësisht mbi lirinë informative për akses në proceset vendimmarrëse. Me këtë koncept lidhet komunikimi i natyrshëm i qytetarëve me aktorët e sistemit politik, përkatësisht me përfaqësuesit e administratës, për të siguruar përfaqësimin e tyre në vendimmarrjen qendrore dhe vendore. Në drejtim të ngjashëm konvergojnë principet e transparencës administrative dhe të daljes në publik. Në Republikën Federale të Gjermanisë ka hyrë në fuqi Ligji mbi Lirinë e Informimit (nga viti 2006), sipas të cilit të gjithë parlamentarët e Bundestagut dhe të parlamenteve rajonale janë të detyruara të bëjnë publike të ardhurat dytësore.
Ekonomia dhe politika sociale
Teoritë mbi zgjidhjen e çështjeve sociale janë blatuar fillimisht në Angli, si mëmëdheu i industrisë dhe i kapitalizmit, më tej në Francë dhe në Belgjikë, që u bënë pionierë të formave të reja të prodhimit. Asokohe, synimi i kriticizmit klasik evropian nuk ishte thjesht dhe vetëm të ekspozoheshin në publik kushtet sociale, por të përpunoheshin teori dhe të zhvilloheshin modele për zgjidhje radikale të problemeve që lindën prej kalimit nga një shoqëri agrare dhe feudale në një ekonomi borgjeze industriale.
Teoritë e socialistëve francezë u përhapën shpejt në Gjermani, midis të tjerash përmes shkrimeve të Lorenz von Stein. Shprehja ultimative e shkrimtarit Georg Büchner “Paqe në vilat e verimit, luftë në pallate!” kontribuoi, midis të tjerash, edhe në përhapjen e ideve të hershme socialiste. Me ndikim të madh në këtë drejtim ishte ideja e Wilhelm Weitling (1808-1871) mbi “vëllazërinë universale”, çka u konceptua asokohe si një “komunizëm egalitarist”. Kjo ide u përdor nga Marksi dhe Engelsi, si interpretues të zgjidhjes së problemeve sociale afatshkurtra. Apeli i tyre për “përmbysje me dhunë” dhe teza mbi “fitoren e paevitueshme të proletariatit”, e shprehur në veprën madhore teorike “Kapitali”, filloi të preokupojë jo vetëm politikanët dhe akademikët, por u bë “avokaturë” edhe e studiuesve të evolucionit shoqëror.
Kongresi unifikues i socialistëve gjermanë, i mbajtur në Gotha (1875), kritikoi gjerësisht Marksin lidhur me format dhe mjetet që duheshin përdorur për zgjidhjen e problemeve sociale të klasës punëtore, sepse në ato vite të para të organizimit të lëvizjes punëtore në Gjermani nuk ishin konsumuar ende teorikisht “urat” e borgjezisë për reforma sociale. Edhe koncepti Schulze-Delitzsch i “organizimit vetëmbrojtës” po humbiste mbështetje në rritje; gjithashtu, përpjekja e demokratëve në Würtemberg për t’i dhënë frymë një perspektive të re në zgjidhjen e problemeve sociale nga një perspektivë liberale dështoi shpejt. Kështu që në Gjermaninë perandorake, ndryshe nga Anglia, nuk u ndërtuan “ura bashkëpunimi” midis Socialdemokracisë– nga njëra anë- dhe reformatorëve socialë borgjezë– nga ana tjetër.
Në zgjedhjet e shkurtit 1890 për në Reichstag-un gjerman, socialdemokratët fituan 19,7% të votave. Ndërkohë, edhe lëvizja sindikale kishte arritur një zgjerim të ndjeshëm. Kjo rritje e lëvizjes punëtore socialdemokrate u ballafaqua me ekspansionin e fuqishëm ekonomik. Me gjithë rritjen e të ardhurave për familje, nuk ishte e mundur të sigurohej një ekzistencë humane dinjitoze, sidomos për gratë. Punëtorët ndiheshin të kërcënuar sidomos nga diskriminimi politik dhe social prej të pasurve, për shkak të mosfunksionimit të legjislacionit në procesin e punës. Me kolapsin e ligjeve antisociale dhe me rënien e Bismarkut, Socialdemokracia u konfrontua me një situatë të re, ku shteti vazhdoi t’u sillte vështirësi si SPD-së, ashtu edhe sindikatave. Kjo e ashtuquajtur “prehistori” e politikave sociale në zhvillimin ekonomik është pasqyruar gjerësisht në vepra madhore mbi ecurinë e të drejtave njerëzore në fushën e prodhimit dhe të përkrahjes shoqërore nga shteti ekonomikisht i liberalizuar në kohën e sotme.
Me zgjedhjet e vitit 1998, SPD-ja gjermane e pa veten me një kancelar socialdemokrat, Gerhardt Schröder. Një ndër detyrat kryesore të kabinetit të tij ishte politika ekonomike. Ashtu sikurse partitë motra në Perëndim dhe në vendet Nordike, socialdemokratët gjermanë iniciuan politika të reja në sektorin social dhe në atë shtetëror. Duke u qëndruar gjithnjë afër principeve të tyre bazë, ata u përpoqën të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për probleme bashkëkohore, prej të cilave do të mund të përfitonin edhe brezat e ardhshëm:
- Reforma taksative, që prekte sidomos familjet me të ardhura të ulëta dhe ato që përfitonin benefite nga shteti;
- Forcimi i shtetit ligjor, si bazë për investime ekonomike;
- Globalizimi, kompeticioni dhe lëvizja e lirë e kapitalit.
Këto masa hasën së pari në kundërshtimin e socialdemokratëve tradicionalistë, sepse ato favorizonin biznesin e kompanive të mëdha, ndërkohë që lindën probleme me biznesin e vogël e të mesëm, më afër shtresave të ulëta të popullsisë. Nga ana tjetër, u rrit presioni ndaj ligjeve proteksioniste dhe liberalizimit të Tregut. Por, të mos harrojmë se SPD-ja gjermane u ballafaqua ndërkohë me detyrimin për të ankoruar principet e Socialdemokracisë më efektivisht se sa në vendet e tjera evropiane dhe kjo shërbeu si një modul për implementimin mbarëbotëror të standardeve sociale, qoftë edhe minimale.
Shteti i mirëqenies, drejtësia sociale dhe demokracia sociale
Programi bazë i SPD-së gjermane në Bad Godesberg (1959) miratoi sloganin “Sa më tepër konkurrencë, planifikim atje ku është e mundur”. Për herë të parë, me këtë Program, PSD-ja braktisi idetë e një frymëzimi tipik marksist, sepse njohu ekonominë e tregut dhe u lidh me incentivat e mbarë shoqërisë gjermane, jo vetëm të punëtorëve. Synimi i Programit ishte të tregonte se E Majta Socialdemokrate ishte tashmë e gatshme për objektivin themelor të mbarë shoqërisë: krijimin e një shteti të mirëqenies sociale. Disa nga prerogativat e propozuara kishin të bënin me “luajalitetin total” lidhur me ligjet federale dhe përdorimin e mjeteve demokratike për luftën politike; konkurrencën dhe iniciativën e lirë të pronarëve, duke braktisur çdo ide të “nacionalizimit total të ndërmarrjeve“, natyrisht, pa përjashtuar rolin mbikëqyrës të shtetit; denoncimin e komunizmit etatist dhe vullnetin për ta bërë PSD-në një parti të mbarë popullit, pa marrë parasysh shtresat sociale.
Nga ana tjetër, Socialdemokracia gjermane u ka kushtuar gjithherë një vlerë të madhe lirisë dhe drejtësisë sociale. Edhe përpara ardhjes në pushtet, partitë socialdemokrate e kanë vënë theksin te mbrojtja e qytetarit dhe te lufta kundër krimit të organizuar, sepse këto janë prerogativë bazikë për ruajtjen e lirisë dhe shteti ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe të shoqërisë nga aktet terroriste. Në thelb, kjo detyrë është shprehje e një demokracie liberale në kushtet e një shoqërie të hapur. Partitë socialdemokrate, si parti të lirisë, e njohin vlerën e të drejtave njerëzore individuale; ato besojnë se individi dhe dinjiteti i tij janë indikatorë matës të gjithçkaje në shoqëri. Si një parti antitotalitare, SPD-ja gjermane ka mësuar nga historia e vendit të saj: liria dhe siguria nuk i kundërvihen njëra-tjetrës, por e para është parakusht për të dytën.
Mbas humbjes së tri zgjedhjeve në nivel landesh, në fushatën e fundit elektorale për zgjedhjet e përgjithshme (2017), SPD-ja u gjend para një paqartësie të dukshme lidhur me disa nga përmbajtjet themelore të programit zgjedhor, midis të cilave edhe mbi çështjet që kanë të bëjnë me Drejtësinë Sociale. Socialdemokratët gjermanë kërkojnë çlirimin e kontribuuesve të vegjël dhe të mesëm nga sistemi i rënduar i taksave, megjithëse pushimet masive nga puna- për shkak të futjes së teknologjive të reja në prodhim- kalojnë përmes sistemit tatimor, por jo vetëm. Një pikë tjetër kritike lidhet me politikën e pensioneve, e cila duhet të ndryshohet urgjentisht. Megjithatë, këto propozime nuk u shoqëruan me të dhëna statistikore bindëse.
Paqja dhe siguria në një Europë sociale
Bota e sotme është e ndryshme nga ajo e kohës së Ebertit. E vetmja superfuqi ka mbetur SHBA-ja. Globalizimi i kapitalit dhe i tregjeve ka arritur përmasa gjigante dhe po e ndrydh ashpër kapacitetin e shteteve nacionale për veprime individuale; biznesi, që po vepron në mbarë botën, është bërë mishërim i një pushteti ekonomik të pavarur dhe rrjedhja e kapitaleve s’po njeh më kufij. Ndoshta, disa prej këtyre parametrave kanë ndikuar në shtrirjen e Bashkimit Evropian dhe në vitalizimin e tij. Ndonëse ëndrra e një “Evrope mbinacionale” premtoi shumëçka, koncepti i zëvendësimit të shteteve kombëtare me një Evropë të unifikuar duket se nuk është realist. Shtrirja e Evropës drejt Lindjes shtroi problemin e riorganizimit të saj, sidomos në drejtim të ndarjes së autoritetit midis Brukselit dhe shteteve të veçanta brenda Unionit si dhe për rolin e sigurisë rajonale.
Faktorët historikë tregojnë se Bashkimi Evropian ka funksionuar deri tani kryesisht si një ekonomi e tregut të lirë, ku dimensioni social mezi arrin të performojë. Në këto kushte të reja, as partitë evropiane socialdemokrate, as sindikatat nuk kanë demonstruar energji të mjaftueshme për ta ndaluar modelin e këtij projekti evropian. Në praktikë, ato duket sikur janë të kënaqura dhe të përqendruara në kuadër kombëtar. Por, sidoqoftë, ato kanë detyra të mëdha për të ardhmen. Edhe PSD-ja duhet ta shohë veten si pjesë të një demokracie sociale mbarevropiane, që duhet të përpiqet si për një Gjermani evropiane, ashtu edhe për një Evropë sociale. Për socialdemokratët gjermanë është jetësore të zhvillojnë më me forcë dimensionin evropian të vendit. Ashtu siç është shprehur kancelari Schröder në sekretariatin ekzekutiv të SPD-së në vitin 2002, “strategjia e SPD-së duhet të mbështetet në principet e të qenit pro-evropianë” dhe, për këtë, duhet të adaptojë një pozicion të qartë, sepse Evropa- më shumë se sa një nocion gjeografik- është një forcë ekonomike, me një bashkësi të mirëfilltë vlerash.
Në vitet 1998-2002, PSD-ja e kaloi me sukses testin e qeverisjes. Prioritet i tanishëm është që zëri i saj të dëgjohet më qartë brenda “korit” evropian. Evropa është bashkuar jo vetëm prej traditave të lirisë dhe mendjeve të ndritura, por edhe prej trashëgimisë të përbashkët të qytetërimit dhe kulturës. Tashmë, ajo qëndron para detyrave madhore të ripajtimit, mirëkuptimit dhe tolerancës, çka do të ishte e vetmja mënyrë për të mbrojtur lirinë, sigurimin e paqes dhe t’i kundërvihet pabarazisë dhe diskriminimit. Ky do të ishte një model ndërkombëtar i suksesshëm për shek. XXI. Ai do të përfaqësonte gjithashtu një detyrim sfidues si për PSD-në, ashtu edhe për partitë simotra evropiane.
____________________________
* Pedagog i Antropologjisë në Universitetin Europian të Tiranës. Artikulli është përmbledhje e referatit të mbajtur në Akademinë Politike, të organizuar nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert” (Tiranë, 13.10.2017).