Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Nis Java e Orientimit në UET; Studentët e rinj njihen me universitetin

$
0
0

Drejtuesit e universitetit, dekanët, shefat e departamenteve të çdo fakulteti kanë pritur studentët e rinj të UET-it, duke prezantuar tek ata universitetin, kurrikulat dhe pedagogët që do të kenë në 3 vitet e ardhshme.

Duke pasur parasysh rëndësinë që ka për studentët e vitit të parë orientimi i tyre për programet, pedagogët, njohjen e ambienteve, rregullave dhe gjithçka ka lidhje me atë që do të përballen gjatë 3 viteve të ardhshme, Universiteti Europian i Tiranës zhvillon çdo vit në fillim të Tetorit Javën Orientuese. Java Orientuese për të gjitha fakultetet nisi sot me synimin për ta bërë sa më komod dhe të thjeshtë nisjen e vitit akademik për të rinjtë që kanë për herë të parë universitet dhe në UET.

Para studentëve të çdo dege folën dekanët, shefat e departamentit, rektori prof.dr.Tonin Gjuraj, presidenti, prof.dr.Adrian Civici dhe drejtues të tjerë administrativë, si sekretarja e përgjithshme Holta Heba dhe Dekania e Studentëve, Anisa Subashi.

Ata vunë në dukje se studenti është në qendër të vëmendjes në UET, jo vetëm për mësimdhënien, por dhe për çdo problem të tyre akademik ose dhe personal dyert e stafit dhe pedagogëve do të jenë të hapura. Për të qenë pranë çdo studenti në raste të nevojës për këshillim është dhe psikologia Fleura Shkëmbi, e cila u ofron asistencë.

“Po të shohim nr e studentëve në UET, që kur ne jemi themeluar në 2006 deri në këtë moment, pra është viti i 11-të, ka një rritje të numrit të studentëve në programet e studimit.  Dhe për këtë ka qenë edhe reputacioni, imazhi, programet tona që janë bashkëkohore, pedagogët, literaturën që ne përdorim, tekstet bazë që përditësohen vazhdimisht, etj.  Nëse që në ditët e para vëreni diçka që nuk shkon ose që nuk e kuptoni mos hezitoni të vini, në çdo kohë”- u tha Prof. Dr. Tonin Gjuraj studentëve, duke i orientuar dhe për gjithë marrëdhënien që kanë me universitetin gjatë shkollës.

 

“Natyra njerëzore, karakteri njerëzor, kultura dhe shumë gjëra të tjera, janë pjesë e pandarë e vendimeve ekonomike që ne marrim, dhe pikërisht programi në fakultetin ekonomik, që ne kemi përgatitur, është një program po kaq kompleks, dhe ju do keni një gamë të gjërë lëndësh, që nga ato të formimit teorik,  formimit metodologjik dhe pastaj të segmenteve ose të pjesëve të veçanta të ekonomisë që nga tregjet financiare, kontabiliteti, menaxhimi dhe shumë element të tjerë. Një parim që ne e kemi vazhdimisht, dhe ndoshta këtu dallojmë dhe nga shumë universitete të tjera, besoj që ju do ta identifikoni shumë shpejt kur të fillojë mësimi. Ekziston një shprehje e një prej ekspertëve më të mëdhenj të shkencave të edukimit, i cili thotë ‘Në kohën e sotme nuk kemi nevojë për koka të mbushura plot, por për mendje që dijnë të arsyetojnë dhë të veprojnë.’ Pra edhe programi që ne kemi përgatitur, dhe që ju do bëni, nuk do synojë thjesht një informacion masiv që brezi juaj i lidhur kaq ngushtë me teknologjinë mund ta marrë shumë kollaj, por një mënyrë për të formuar dhe arsyetuar vazhdimisht mbi ekonominë. Ju ftoj të jeni vazhdimisht të vëmendshëm, aq më tepër që ekonomia ka një specifikë, që po nuk mësove mirë bazat, gjithnjë do të vështirësohet avancimi juaj në vitin e dytë ose të tretë”- u shpreh profesor Civici gjatë prezantimit me studentët e rinj të fakultetit Ekonomik.

Dekania e Fakulteti Juridik Eriona Canaj u tha studentëve se Fakulteti Juridik ka programe studimi bashkëkohore, ka pedagogë shumë të mirë me eksperiencë, pedagogë të cilët kanë përfunduar studimet e tyre në universitetet më të mira të Europës Perëndimore dhe kurrikula bashkohore.

“Fakulteti Juridik është i përbërë nga dy departamente dhe një qendër kërkimore. Është departamenti i të drejtës publike, departament i cili përgatit studentët në të drejtën publike, në të drejtën kushtetuesë, administrative, penale, procedurë penale. Pra janë disa lëndë që përgatisin studentët në fushën e  të drejtës publike. Ndërsa departamenti e drejtë private përgatit studentët në lëndë të tjera, fusha, që janë e drejtë civile, e drejtë e detyrimeve, procedurë civile, e drejtë e punës, e drejta tregëtare, pra janë disa lëndë që janë specifike dhe janë në këtë departament”- tha ndër të tjera ajo.

 

Dekani i Shkencave Sociale dhe të Edukimit prof.dr. Ferit Duka  po ashtu prezantoi këtë fakultet, kurrikulat dhe pedagogët më të njohur që japin mësim aty.

“UET është një universitet ku diploma fitohet me punë, ku diploma merret me lodhje gjatë orëve të studimit, prandaj unë kam një sugjerim edhe në cilësinë e dekanit, pedagogut por edhe të prindërit, që nga minuta e parë e fillimit të shkollës, deri në të fundit ju lutem mësoni sa më shumë, përgatituni sa më shumë, në mënyrë që të merrni një diplomë solide dhe ju të keni nesër akses të lehtë në  tregun e punës. Prandaj në komponentët, mësim, argëtim dhe pushim, ju lutem komponentin e parë kijeni në qëndër të vëmendjes, mësoni sa më shumë. Është një periudhë, periudha studentore, që nuk do t’ju vijë më. Një shans i madh për të marrë dije, për t’u pergatitur për jetën dhe pastaj për të sigururar pse jo dhe një karrierë të suksesshme”- u shporeh profesor Duka.

Java e orientimit vijon të premten me studentët e programeve Master.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180