Është promovuar dje, në UET, në prani të familjarëve, miqve, kolegëve, pedagogëve dhe studentëve libri “Alfabeti i tranzicionit”, i Gilman Bakallit, përmbledhje publicistike 1990-2016, një trashëgimi që do ketë botime të mëpasshme. Në kuadër të ristrukturimit të UET, një qendër kërkimore brenda fakultetit të ri të shkencave juridike dhe shkencave politike, një qendër ndërdisiplinore të shkencave sociale dhe humane, do ta pagëzojnë me emrin e Gilman Bakallit
“Në fillim ishte akuza. Pastaj pasoi kundërakuza. Dhe kështu erdhi në jetë politika. Të paktën në Shqipëri. Së paku për politikën shqiptare të këtij çerek shekulli, politika fillon si akuzë dhe jeton nëpërmjet akuzës…Një aktor politik e kap rivalin e tij në flagrancë duke kryer një akt të dënueshëm dhe e akuzon. Publikisht sigurisht…”. Ndalemi në këto fjali me germën “A”, në titullin “Akuzë”, që prin librin e Gilman Bakallit, “Alfabeti i tranzicionit”, që është promovuar dje, në UET, realizuar nga UET Press në bashkëpunimin me bashkëshorten e Gilmanit, Irenën. Janë përmbledhje artikujsh që mbajnë vitet 1990-2016, plot një vit të ndarjes së parakohshme nga jeta të publicistit dhe pedagogut. Në prani të familjarëve, të afërmve, kolegëve, miqve nga fusha të artit e kulturës, studentëve e ish-studentëve të tij, për më shumë se një orë, Gilmani është kujtuar dhe përcjellë si simboli i intelektualit publik përmes një dokumentari të realizuar nga Top Channel, “Jeta e një fitimtari”.
Rektori i UET-it, Tonin Gjuraj, duke sintetizuar vlerën e fjalës dhe gjurmës që ka lënë trashëgimia publicistike e Gilmanit, tha: “Ky takim nuk është thjesht një homazh, por jemi mbledhur për një mik të rrallë, për promovimin e një libri për gjurmët që ka lënë Gilman Bakalli. Irena, bashkëshortja e Gilmanit, ka qenë prezent gjatë gjithë këtij procesi që ato vlera dhe veprën ta kemi pjesë të këtij institucioni dhe përtej, që të jetë në funksion të shoqërisë dhe me gjerë. Është një botim dinjitoz i UET Press, një libër me vlera të jashtëzakonshme për shkencat sociale, politike, komunikimit etj., duke reflektuar ashtu siç ishte Gilmani që e bënte gjithmonë punën me pasion. Çfarë kam ndjerë për kolegun dhe mikun tim, jam përpjekur t’i them në mënyrë intime, që në gusht kur Gilmani mbushte 50 vjeç, dhe natyrisht edhe dje në një postim të shkurtër, ku përmenda dhe shkrimtarin që e kam shumë për zemër Amos Oz, i cili thotë se “errësira ka mundësi të na çojë në harresë”. Duhet ta pranojmë se Gilmani na ka lënë një errësirë të madhe. Ikja e tij fizike ka zbrazëtinë e vet. Por, ne, si institucion po përpiqemi duke bashkëpunuar me Irenën, që këtë zbrazëti, këtë boshllëk ta mbushim me veprën e Gilmanit, për të mos e harruar veprën e tij. Në këtë kontekst, ka qenë edhe insistimi i administratorit të UET, Henri Çilit, që pas këtij libri ne po mbledhim dhe sistemojmë edhe kontribute të tjera të Gilmanit, që do të promovohen dhe do jenë pjesë e këtij institucioni. “Është plot një vit që jemi pa Gilmanin, dhe kur them zbrazëti kam parasysh mungesën e fjalës së tij të fortë”.
Bashkëshortja e publicistit, Irena, ka ndarë me miqtë dhe kolegët mbi vendimin e saj dhe bashkëpunimin për të realizuar një botim dinjitoz duke thënë se: “Nuk do të doja të isha sot këtu me ju, as nuk do doja t’ju thosha se ndihem e lumtur. Thjesht po përpiqem të bëj kompromise në kërkim të një ekuilibri të humbur. Si qenie egoiste që jemi mund të them që kjo është një ndër arsyet që më ka nxitur të jem pjesë aktive, dhe ndonjëherë edhe e bezdisshme për bashkëpunëtorët në realizmin e botimit të këtij libri. Do vazhdoj të jem edhe për botimet e tjera të mundshme. Nuk e di se si, dhe kur do ta kishte realizuar botimin e këtij libri Gilmani. Në mungesë të luksit për të marrë vendime bashkë, duhet të vendosja vetëm. Kjo është lehtësia e papërballueshme e të vendosurit vetëm. Dëshiroj shumë që Gilmani të m’i aprovojë vendimet e mia dhe e duke njohur mirë, jam e bindur për këtë”.
Administratori i UET, Henri Çili është ndalur më gjatë, jo vetëm mbi profilin dhe simbolikën që ka përfaqësuar për shoqërinë shqiptare Gilman Bakalli, por dhe në planet e së ardhmes për vazhdimin e botimit të veprës së lënë trashëgimi nga publicisti, duke çmuar edhe punën si një pedagog ideal, dhe në këtë perspektivë duke nderuar me emrin e tij.
Duke iu drejtuar së pari bashkëshortes së Gilmanit, Çili ndër të tjera tha: “Falë Këmbënguljes së Irenës, që më kujtoi përpikërinë e veprimeve dhe mënyrës se si Gilmani vepronte, saktë, ngadalë dhe të përsosura, që na solle këtë libër duke koordinuar një mekanizëm të tërë por mbi të gjitha nëpërmjet një emocioni shumë të madh. Unë do tregoj vetëm dy ose tri ngjarje të cilat lidhen në një farë mënyre me Gilman Bakallin. Në forumin e filozofisë që bëjmë në Llogara, javën e dytë të shkurtit, i fundit ku mori pjesë edhe Gilmani, në mëngjesin e të dielës bëmë një lloj bisede, ishin 3-4 veta përfshirë dhe Gilmanin, se çfarë do doje të bëje 24 orët e fundit të jetës? Në përpjekje për të identifikuar cili është vokacioni i secilit prej nesh thashë po shtrojmë pyetjen ndryshe, çfarë do doje të bëje sikur të të kishin mbetur vetëm 24 orë. Dhe më tha që donte të shkrihej me natyrën, pra “duke ecur të treteshe në natyrë”, në një farë mënyre atje të shuhej. Kjo përpjekje ishte për të zgjeruar pavetëdijen ose për të shkuar në thelbin e saj duket se përbënte përmasën e lirisë së këtij individi, i cili megjithëse ishte pjesë e sistemeve duke i kundërshtuar ato vazhdimisht, duke qenë “problematik”, ishte absolutisht në përmbushje të misionit bazë të pedagogut si një kid shpirtëror, si një mundësues që studentëve të tij ai t’i hapte disa horizonte të reja ose t’i realizonte potencialin e tyre inkonshiental”.
Gjithashtu Çili ka folur për inkuadrimin e trashëgimisë akademike, pedagogjike, kreative, publicistike dhe njerëzore të Gilman Bakallit në UET, tashmë të fiksuar në këtë libër, por dhe në botime të tjera, duke e vlerësuar me kujtimin ndaj tij, si një “pedagog të jashtëzakonshëm, ideal, aspak konformist në raport me rregullat dhe gjërat teknike por krejtësisht në përputhje me frymën për të cilin lindi në fund të fundit pedagogjia, lindi raporti student-pedagog që nga Greqia e Lashtë”.
Duke iu përmbajtur shkollës së vjetër, që predikonte me studentët e tij Gilmani, pra përpjekjen për ta realizuar mësimin në natyre, Çili do të ndalej në argumentin e tij, se do ta çojnë më tej këtë trashëgimi duke qenë i bindur se “është universiteti dhe jemi ne që përfitojmë nga emri i këtij pedagogu të jashtëzakonshëm që fatkeqësisht e patëm pak vite mes nesh por mjaftueshëm për të na lënë shenja ose modele”. Në kuadër të ristrukturimit të universitetit një qendër kërkimore brenda fakultetit të ri të shkencave juridike dhe shkencave politike, administrator i UET, tha se një qendër ndërdisiplinore të shkencave sociale dhe humane, do ta pagëzojnë me emrin e Gilman Bakallit. “Ndoshta do të mendojmë pak më tutje edhe për një fellowship ose për një model të grantit kërkimor pikërisht mbi ato kërkesa të kreativitetit të lartë, të lirshmërisë, të humanizmit dhe angazhimit të cilit Gilman Bakalli manifestonte ose brenda asaj filozofie që Gilmani ishte i inkuadruar. Ne nuk kemi asnjë mundësi të ndalojmë kohën ose ngjarje të kësaj natyre, por diçka mund të bëjmë, mund dhe duhet të lemë shenjat e kohës sonë, epokës sonë ose veprës sonë”. Pas publikimit në shqip të “Alfabeti i tranzicionit”, u njoftua se po bëhen përpjekje edhe për përkthimin dhe botimin në versionin gjermanisht në shqip të doktoraturës së Gilman Bakallit. Me këtë botim, Çili tha në mbyllje se: “Në themel të kësaj sipërmarrjeje intelektuale qëndron pikërisht një lloj misionarizmi akademik si ai që përfaqësonte Gilman Bakalli, brenda institucionit tonë”.