Në kuadër të projektit FINAC, ku UET bën pjesë, profesorët Selami Xhepa dhe Hysen Muceku flasin mbi nevojën e futjes së teknologjisë në mësimdhënie dhe hapjen e masterave të rinj në shërbim të administratës publike.
Disa pedagogë të UET-it zhvilluan një vizitë studimore në Universitetin Marconi në Romë në kuadër të projektit FINAC, ku u diskutua rreth praktikave dhe përvojës italiane të menaxhimit financiar e kontrollit të brendshëm në administratën publike, si edhe planifikimi i aktiviteteve të projektit në vitin e tij të dytë. FINAC drejtohet nga Universiteti i Beogradit dhe mbështetet me fonde të programit Erasmus+ të Komisionit Europian.
Prof. Selami Xhepa, lektor në Universitetin Europian të Tiranës dhe President i Institutit Europian Pashko thotë se ky projekt shtron nevojën e ridimensionimit të teknologjisë në mësimdhënie.
“Universiteti Marconi, edhe pse një universitet i ri privat, është një universitet lider në ofrimin e programeve studimore online, duke shfrytëzuar avantazhet e padiskutueshme që ofrojnë teknologjitë e reja në botën e sotme. Mësimdhënia online është një prirje e kohës së sotme dhe ndoshta përvijon dhe rrugën drejt së cilës duhet të lëvizin edhe universitetet tradicionale, duke kombinuar fillimisht përdorimin gjithnjë e më shumë të teknologjive brenda sistemit mësimor tradicional (në auditore), për të kaluar më tej gradualisht edhe në programe të plota të ofruara online. Mësimi gjithë jetës është një dimension i kërkuar dhe kriter bazë i programeve të edukimit dhe në këtë kontekst, sërish përdorimi i gjerë i teknologjive e mundëson arritjen e një objektivi të tillë me kosto më të ulëta dhe të përballueshme për të gjithë studentët që kanë përfunduar një cikël studimi të rregullt në një nga programet universitare”, thotë ai për Mapo.
Në këndvështrimin e zbatimit të projektit FINAC që Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti i Shkodrës do të ofrojnë në bashkëpunim me një rrjet universitetesh nga Serbia, vizita në Universitetin Marconi ishte e dobishme për t’u ekspozuar ndaj eksperiencave dhe praktikave europiane të teknikave të buxhetimit, të kontrollit financiar dhe auditit të njësive buxhetore, të organizimit të administratës publike dhe shërbimit civil, pikat e takimit të këtyre çështjeve me proceset e integrimit europian etj., tema që do të jenë dhe baza e kurrikulës mësimore për nëpunësit e administratës publike që do të jenë pjesë e këtij programi, thekson Xhepa.
Po cilat janë praktikat me vlerë për të cilat UET mund të punojë në të ardhmen nisur nga rrjeti i partnerëve të këtij projekti?
Xhepa thekson se në radhë të parë është me rëndësi që roli i teknologjive në mësimdhënie duhet ridimensionuar duke e shtuar fort përdorimin e tyre si mjete ndihmuese për mësimdhënie. “Edhe pse UET zbaton një sistem të mirë informatik të menaxhimit të mësimdhënës (LMS), përdorimi i tij nga stafi akademik është akoma në përmasa modeste. Pasurimi i materialeve që ofrohen, ndërtimi i moduleve praktike të situatave reale të vendosura në kontekstin e një disipline mësimore të caktuar, jo vetëm që pasurojnë teknikat e mësimdhënës duke e bërë atë më tërheqës për studentin, por njëherësh forcojnë disa aftësi të nevojshme për studentët, si gjykimin kritik, zgjidhjen e problemeve, punë në grup etj., aftësi në të cilat sistemi shqiptar i arsimit të lartë ka mangësi të dukshme”.
“Projekti FINAC do të jetë një ndihmesë e madhe si për ne stafin akademik të UET për të përsosur teknikat tona të mësimdhënies, ashtu dhe për administratën publike të vendit në krijimin e kompetencave të dallueshme profesionale në fushat e programimit financiar, kontrollit financiar dhe auditimit”, thekson Xhepa duke iu referuar studimit të përbashkët që ky projekt parashikon për administratën publike.
Prof. Hysen Muceku, po ashtu lektor në Universitetin Europian të Tiranës bën një bilanc të vitit të parë të zbatimit të këtij projekti dhe pritshmërive të mëtejshme.
“U evidentuan nevojat kryesore të funksionimit të sistemit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në administratën publike. Këto nevoja do të shërbejnë si baza e hartimit të programit për masterin e ri në kuadër të projektit FINAC të programit Erasmus+. Sipas studimit të vitit të parë, kontributi i UET në zhvillimin e kapaciteteve të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik (KBFP/PIFC) mund të jetë në dy drejtime kryesore: 1. Në ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme duke u fokusuar në nevojat dhe prioritetet e konstatuara në sistemin e KBFP/PIFC me qëllim funksionimin e komponentëve themelorë të kontrollit të brendshëm sipas modelit COSO (Komiteti i Organizatave Sponsorizuese). Në fushën e auditimit të brendshëm, duke zhvilluar metodologjitë, mjetet dhe teknikat e auditimit në proceset e menaxhimit të riskut, vlerësimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe të qeverisjes, auditimeve financiare, auditimeve të TI-së, auditimeve të performancës, përgatitjen e raporteve dhe dhënien e rekomandimeve të auditimit, sigurimin e cilësisë së veprimtarisë audituese etj. 2. Në ofrimin e studimeve universitare të nivelit Master duke përgatitur kurrikulat dhe programet përkatëse në përputhje me zhvillimet bashkëkohore dhe nevojat reale të administratës publike me qëllim që KBFP/PIFC të jetë instrumenti themelor i menaxhimit në organizatat publike për përmbushjen e objektivave. KBFP/PIFC të projektohet dhe zbatohet me qëllim që të nxisë eficiencën, të minimizojë riskun e uljes së vlerës së aktiveve dhe të ndihmojë drejtuesit në sigurimin e besueshmërisë dhe krahasueshmërisë së pasqyrave financiare me rregullat dhe ligjet”.
Dr. Blerjana Bino nga Zyra e Projekteve në UET beson se projekti FINAC do të sjellë mundësi mobiliteti e trajnimi për lektorët e Menaxhimit Financiar në UET, si edhe zhvillimin e programeve të reja master në fushën e menaxhimit financiar, kontabilitetit dhe kontrollit, të përshtatura për nevojat reale të administratës publike dhe punonjësve të saj.