Studentët që studiojnë në universitetet më të mira jashtë rikthehen në “shtëpi”
Të jesh një student ndërkombëtar, sot është më shumë sesa një dëshirë për studime cilësore, është një trend. Imagjinoni kampuset universitare më të vjetra e më me emër në botë, në Londër, Paris, Berlin, Milano, e në vende të tjera të botës. Është një ëndërr për çdo të ri jo, vetëm të atyre që vijnë nga vende të vogla si Shqipëria, por për të rinjtë nga e gjithë bota. Të qenit një student udhëtues për të rinjtë sot, në kohën e globalizmit, është një trend që ushqen dëshirën e tyre për eksperienca të reja, për njohje të vendeve dhe kulturave të reja dhe pa dyshim…për një vlerë të shtuar në diplomimin e tyre. Për studentët shqiptarë, bursat e studimit jashtë nuk janë një “realitet virtual”, janë një realitet i prekshëm për shumë nga ata që marrin mundimin, guxojnë dhe punojnë që t’ia arrijnë. Vetëm këtë vit, nga Universiteti Europian i Tiranës do të nisen për në universitete europiane 13 studentë. Ata kanë përfituar nga bursat e projektit të KE-së, “Erasmus Mundus Sigma Agile”. Por ndër vite, UET ka pasur ambasadorët e tij nëpër botë që nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar etj.
Çdo vit shumë prej studentëve që studiojnë ose kanë përfunduar studimet jashtë, mblidhen për të ndarë eksperiencat e tyre. Takimi i UET-ALUMNI Internacional 2015 mblodhi sërish këta studentë dhe të tjerë që po përgatiten për të nisur studimet akademike këtë vit akademik jashtë vendit.
Administratori i UET, Henri Çili tha se krijimi i traditës ka vështirësitë e veta, “por ne do të insistojmë që të krijojmë kanalet e komunikimit të përvitshëm me gjithë studentët që shkojnë jashtë. Do ta mbështesim këtë proces me anë të 2 institucioneve, qoftë këshillimit rastësor nga pedagogët, qoftë edhe nëpërmjet këshillimit nga zyra përkatëse, pra Qendrës UET. Qëllimi është që studentët të njihen me botën dhe të marrin eksperiencat më të mira. Këta studentë janë pjesë e padiskutueshme e CV-së së UET. Jemi shumë të hapur gjatë këtyre takimeve që ju të na sillni eksperiencat e mira nga atje ku studioni, të na sugjeroni pasi vazhdimisht duhet të përmirësojmë logon tonë, brandin tonë dhe punën në institucion”, – tha ndër të tjera Çili.
Blerjana Bino, drejtoreshë e Zyrës së Projekteve për Kërkim dhe Zhvillim në UET, e cila asiston në zbatimin e projektit të përbashkët me KE-në “Erasmus Mundur Sigma Agile”, tha në takim se “Erasmus + është një përvojë shkëmbimi, ku përfaqësues të UET shkojnë në një universitet tjetër duke kontribuar që edhe UET të bëhet pjesë e konsorciumit. Viti i kaluar ishte një eksperiencë shumë e mirë, ku stafi ynë ofroi mbështetje për studentët dhe ishte edhe çelësi i suksesit të numrit të madh të bursave që morën studentët tanë. Nga 22 bursa që u morën në Shqipëri, 13 ishin nga UET dhe padyshim pjesa më e madhe e meritës i takon përgatitjes akademike të studentëve”.
Dëshmitë e studentëve: Studimet që të ndryshojnë jetën
Kur vjen nga studimet jashtë nuk je më i njëjti njeri, ke ndryshuar përgjithmonë. Kultura, eksperienca, njohja e vendeve dhe njerëzve, studimet etj., janë pjesë e formimit tënd si njeri. Studentët ndajnë eksperiencat e tyre jashtë, duke pranuar se një diplomë e huaj është gjithmonë një vlerë e shtuar në karrierë.
Krisi Kllapi: Studimet bazë i mora në UET
Studimet jashtë vendit janë sakrificë dhe punë e fortë, por nuk janë të pamundura. Një nga studentet e UET, e rikthyer pas dy vitesh studimi në Zvicër, mendon se kategoria e studentëve “udhëtues” duhet të ndajnë eksperiencat e tyre në auditorë me studentët e rinj për t’u treguar atyre se studimet jashtë janë të mundura. Kush e dëshiron këtë gjë dhe punon për këtë, e arrin. “Unë kam mbaruar ciklin e plotë 3+2 në UET, ciklin Bachelor për Drejtësi, ndërsa Master për të Drejtë biznesi. Më pas mbarova në Zvicrës, master për të Drejtë Ndërkombëtare dhe Ekonomiks. Për sa i përket eksperiencës sime atje, së pari do të thosha që studentët jashtë janë të përgatitur dhe kanë eksperienca pune”. A ka ndjerë Krisi ndonjë pengesë apo dallim në përgatitjen e saj akademike për shkak se vinte nga një vend i vogël” Ajo i përgjigjet menjëherë “jo, përkundrazi jam ndjerë e barabartë”. “Unë mund të them po, sepse gjatë studimeve aty hasa disa degë të cilat kishin lëndë që ne i kishim zhvilluar këto dhe i kisha njohuritë bazë”.
Aida Maho: Diploma e LSE, që noterizoi studimet në UET
Londra është metropol europian, qyteti i universiteteve më të mira në botë, kësisoj është padyshim dhe ëndrra e çdo të riu që do të zgjidhte ku të studionte jashtë vendit. Aida Maho e ka pasur këtë fat dhe vjen nga Londra me eksperiencën e një viti Master në drejtësi. Ajo fitoi të drejtën e studimeve në një prej universiteteve më prestigjioze atje, “London School of Economics” pas pesë viteve studim në Universitetin Europian të Tiranës, Bachelor dhe Master. “Aplikimi ishte shumë kompetitiv, 8 mijë aplikantëve nga gjithë bota do të fitonin vetëm 150. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, e cila në një lloj kuptimi ka “noterizuar” edhe studimet në UET. Përvoja aty tregoi se studimet në UET ishin solide dhe të vlefshme dhe se ky universitet pavarësisht se një universitet i ri ka standard ndërkombëtar dhe kësisoj mund të përballojë përballje dhe me universitete prestigjioze”.
Erjon Curraj, studim dhe kërkim shkencor
Erjon Curraj është një nga studentët e doktoraturës që ka fituar bursë studimi me “Erasmus Mundus Sigma Agile” dhe do të shkojë në një prej universiteteve më të mira për teknologjinë në Finlandë. Para se të fitonte bursën, ai punonte si asistent pedagog dhe kryente doktoraturën pranë UET. “Kur kam nisur kontaktimin me UET, kam qenë si i punësuar pranë departamentit të IT-së. Studimet e mëparshme i kisha bërë në Greqi dhe kisha punuar edhe si asistent/profesor. Tashmë gjatë kohës që isha i punësuar pata mundësinë nga administratori i UET-it që të përfitoja bursën e doktoraturës dhe në vazhdimet e mia e kreva me shumë sukses dhe kur erdhi puna te zhvillimi i lëndës doja të bëja një temë jo thjesht teorike, por të kishte një output në jetën e përditshme të shqiptarëve. Ajo që gjeta domethënëse ishte se kompanitë shqiptare e përdorin teknologjinë për përdorime minimaliste, ndërkohë që bota jashtë ka zhvilluar aq shumë”. Duke folur për të ardhmen dhe ajo që pret të bëjë me doktoraturën që do të kryejë jashtë vendit, ai thotë se “Po përpiqem të sjell inovacion, jo të bëj vetëm punë të rëndomtë IT dhe në këtë kontekst për temën e doktoraturës do të zhvilloj në mënyrë akademike punën e përditshme që bëj në biznesin tim për të ndihmuar biznesin shqiptar në tërësi, që të ketë sa më shumë mundësi për të menaxhuar burimet e veta për të reduktuar humbjet dhe për të qenë më eficient”.