Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Ambasadori anglez në Shqipëri: Keni një ide brilante? Kapeni mundësinë për ta shitur edhe në Angli

$
0
0

Nga Rudina Hoxha

Së fundmi, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman prezantoi në Shqipëri iniciativën UK-Albania Tech Hub në fushën e teknologjisë. Kjo iniciativë mbështet partneritetin midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe në sektorin e teknologjisë me qëllim mbështetjen e startup-ve në Shqipëri dhe krijimin e mundësive për të bërë biznes me Britaninë e Madhe.

Më tepër për këtë iniciativë, mund të gjeni në linkun e mëposhtëm: https://www.gov.uk/government/news/uk-albania-tech-hub

Në një intervistë ekskluzive për Gazeta MAPO, Ambasadori nënvizon se në Shqipëri, ka shumë njerëz, sidomos të rinj, të cilët kanë ide të shkëlqyera për sa i takon startup-ve.

“Kështu, ajo që ne duam të bëjmë është të ndihmojmë dhe të inkurajojmë këto ide që ato të konsolidohen dhe të bëhen të suksesshme dhe nëpërmjet këtyre, ne të ndihmojmë në ndërtimin e ekonomisë së Shqipërisë dhe në vendosjen e lidhjeve midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë”, shpjegon Ambasadori në këtë intervistë, duke nënvizuar se Britania ofron të gjithë mbështetjen që kompanitë kanë nevojë. 

I dhënë pas teknologjisë, Ambasadori nënvizon se iniciativa UK-Albania Tech Hub ka të bëjë me ide të shitshme. “Kjo ide duhet të krijojë një produkt i cili është i shitshëm dhe idealja do të ishte jo vetëm në tregun shqiptar por edhe në atë britanik me qëllim krijimin e lidhjeve midis dy vendeve”, shprehet Ambasadori.

Së fundmi, Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë prezantoi iniciativën UK-Albania Tech Hub. Sipas jush, çfarë e bën këtë iniciativë kaq interesante që e bëri Ambasadën ta përqafonte fort?

Mendoj se në çdo vend, ekonomia përbën pjesën më të madhe të zhvillimit të saj. Kjo është e vërtetë edhe për Shqipërinë, për Britaninë e Madhe, për çdo vend. Sa i takon Britanisë së Madhe, sektori digjital zë një vend shumë të rëndësishëm në ekonominë e këtij vendi. Shumë nga shërbimet në ekonominë tonë janë të digjitalizuara. Dhe ajo që ne kemi vënë re në Shqipëri në këta pak muajt e fundit dhe në takimet me disa nga sipërmarrësit shqiptarë është se ka shumë njerëz, sidomos të rinj, të cilët kanë ide nga më të mrekullueshmet se si të shfrytëzojnë në maksimum mundësitë digjitale që ekzistojnë në Shqipëri.

Kështu, njerëzit kanë ide të shkëlqyera sa i takon teknologjisë së startup-ve. Kështu, ajo që ne duam të bëjmë është të ndihmojmë dhe të inkurajojmë këto ide që ato të konsolidohen dhe të bëhen të suksesshme dhe nëpërmjet këtyre, ne të ndihmojmë në ndërtimin e ekonomisë së Shqipërisë dhe në vendosjen e lidhjeve midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë.

A do të angazhohet Ambasada për t’i ndihmuar këto startup-e të reja të plotësojnë kriteret kyçe për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative?

Ne krijuam këtë iniciativë të re, të quajtur UK-Albania Teh Hub, në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Shqipëri (British Council Albania.) Kjo iniciativë është një ide dhe – koncept që është përdorur kudo nëpër botë por kurrë në rajonin e Ballkanit. Ajo që ne po bëjmë është që ne kemi hapur një konkurs për njerëzit që të aplikojnë të cilët kanë iniciativa në fushën e startup-ve.

Ne jemi në kërkim të njerëzve që kanë një koncept të shkëlqyer i cili mund të transformohet në një mundësi biznesi. Idealja do të ishte nëse aplikuesi do të kishte një lloj produkti gati. Do të ishte e dëshirueshme nëse ata do të kishin filluar ta shisnin produktin në treg por kjo nuk është absolutisht esenciale. Ajo që ne kërkojmë është ideja.

Ne do të kryejmë një seri trajnimesh në Shqipëri të cilat do të drejtohen nga ekspertë që do të vijnë nga Anglia. Ato do të ndihmojnë pjesëmarrësit të zhvillojnë aftësitë e tyre sipërmarrësve duke kontribuar në zhvillimin e ideve dhe koncepteve të tyre. Më të mirat e ideve të përzgjedhura do të kenë një mundësi të mëtejshme: mundësinë për të vizituar Britaninë e Madhe, për të takuar kompani tech me bazë në këtë shtet dhe hedhjen e ideve të tyre me shpresën e fitimit të kontratave me këto biznese në Britani. Kjo do të jetë një mundësi e mrekullueshme për ta, për t’i kthyer idetë e tyre në biznese potenciale ndërkombëtare.

Kjo me duket goxha nxitje!

Po, ashtu mendoj edhe unë.

Cili është vizioni juaj rreth panoramës të startup-ve në Shqipëri? A mendoni se ato po zhvillohen shpejt megjithëse se janë ende në fazat e tyre të para?

Ajo që ne shikojmë në Shqipëri është se ka disa ide të shkëlqyera dhe disa kompani të reja dhe të rinj, të cilët i drejtojnë këto kompani të cilat potencialisht mund të jenë të suksesshme. Kështu, ajo që ne duam të bëjmë nuk është thjesht t’i ndihmojmë këto kompani por edhe të punojmë me qeverinë shqiptare për të krijuar një mjedis të ri të shkëlqyer që të jetë sa më i favorshëm për këto kompani për të arritur suksesin e vërtetë. Aktualisht programi ynë është i shtrirë në një shkallë të vogël. Ne po punojmë për të identifikuar kompanitë kryesore por ne jemi entuziastë për ta zgjeruar këtë program nëse ka sukses.

Z.Ambasador, çfarë është i rëndësishëm për aplikantët të kenë parasysh përpara se të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative?

Siç e përmenda më lart, kjo iniciativë ka të bëjë kryesisht me të pasurit e një ideje të shkëlqyer që të jetë e shitshme. Kjo ide duhet të krijojë një produkt i cili është i shitshëm dhe idealja do të ishte jo vetëm në tregun shqiptar por edhe në atë britanik me qëllim krijimin e lidhjeve midis dy vendeve

Si e shikoni ndikimin e teknologjisë në vendin e punës dhe në ekonominë e një vendi?

Kur fillova të punoj, nuk kisha një kompjuter në tavolinën time dhe brenda një kohe të shkurtër, ne e gjejmë veten sot duke punuar në një mjedis ku pothuajse çdo gjë që prekim, është e digjitalizuar.

Qeveria e Britanisë së Madhe është e përfshirë së tepërmi në krijimin e një hapësire ku kompanitë tech mund të lulëzojnë dhe rrjedhimisht të zhvillojnë ekonominë.  Ne kemi avantazhin se jemi të përfshirë në teknologji për një kohë të gjatë.

Ne kemi një mjedis që është aty jo vetëm për t’i dhënë mundësi por edhe për t’i mbështetur startup-et digjitale si për shembull: legjislacioni, taksat që janë shumë miqësore ndaj startup-ve digjitale. Pra, ne kemi të gjithë atë mbështetje për të cilat kompanitë kanë nevojë.

Britania e Madhe ka një histori të gjatë në bashkëpunimin me të tjerët për inkurajimin e inovacionit; UK-ALBANIA Tech Hub është një nga mënyrat për t’i bërë të dyja vendet tona të bashkëpunojnë për të inkurajuar inovacionin dhe krijimin e një klime biznesi të shëndetshme në përfitim të ekonomisë.

A jeni i dhënë pas teknologjisë?

Jam një ‘tifoz’ i madh i teknologjisë. Gjithashtu, kam edhe një vajzë adoleshente e cila është edhe më tifoze se unë pas teknologjisë. Jam aktiv në median sociale si twitter, @DNormanFCO. Digjitalizimi ka ndryshuar edhe në mënyrën e bërjes së diplomacisë sot.

A ju frikëson e ardhmja e teknologjisë? Ekspertët paralajmërojnë afrimin e epokës së robotëve.

Mendoj se është jashtëzakonisht emocionuese. Zhvillimet teknologjike që kanë ndodhur jo vetëm në fushën digjitale por në të gjitha fushat e jetës janë të jashtëzakonshme. Kështu, të rezervosh një biletë për të qenë turist në hënë nuk është e frikshme por një mundësi fantastike. Ajo i bën jetët tona më të lehta dhe më emocionuese. Mënyra se si ne mund të komunikojmë dhe të jemi në kontakt me miqtë nga e gjitha bota bën këtë ndryshim në jetët e njerëzve sot për sot. Dhe mendoj se është diçka që përqafohet me dëshirë. Nëse ne mund t’i përdorim robotët për të kryer disa nga punët e rëndomta, do të isha dhe më i lumtur.

A do ta zgjerojë Ambasada e Britanisë së Madhe përfshirjen e saj në sektorin e teknologjisë për të kontribuar në reformën e administratës publike shqiptare për shembull?

Ne po punojmë afër me disa nga ministritë në Shqipëri, për shembull, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, për mënyrën e punës së tyre dhe për t’i ndihmuar që të jenë edhe më efikas. Dhe kjo gjë do të vazhdojë. Ky bashkëpunim është paksa i ndarë nga ky program që kemi prezantuar që është i prerë për startup-et në fushën e teknologjisë. Dhe ne do të shikojmë se sa e suksesshme do të jetë kjo. Nëse ka sukses, ne do të shikojmë mundësinë për ta zgjeruar si program me qëllim pasjen e një ndikimi më të madh. Kështu do të kemi një efekt më të madh mbi ekonominë dhe mbi një grup të rinjsh që shpesh mund të ndihen paksa të pafavorizuar.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Latest Images

Trending Articles